Bayern Munich po planifikon të vazhdojë bashkëpunimin me portierin legjendar Manuel Neuer, duke i ofruar një kontratë të re pavarësisht moshës së tij 40-vjeçare.
Gardiani gjerman vazhdon të mbetet një nga portierët më të mirë në botë dhe titullar i padiskutueshëm te skuadra bavareze, duke dëshmuar vazhdimisht nivel të lartë dhe përvojë të jashtëzakonshme në fushë.
Kontrata aktuale e Neuer skadon në muajin qershor, por drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend të ndahen lehtë nga një figurë kaq e rëndësishme.
Drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, konfirmoi se gjithçka do të varet nga gjendja fizike dhe dëshira e vetë lojtarit për të vazhduar.

“Mund ta imagjinoj këtë. Nëse Manu është i gatshëm, ndihet mirë, është gati dhe pritjet tona për njëri-tjetrin përputhen, mund ta imagjinoj një zgjatje”, u shpreh Eberl.
Nëse arrihet marrëveshja, Bayern do të vazhdojë të mbështetet te një nga ikonat më të mëdha të klubit, duke i besuar eksperiencës së Neuer edhe për sezonet në vazhdim.

