Ernest Muçi po konfirmon formën e jashtëzakonshme me fanellën e Trabzonsporit, duke treguar se është në një tjetër nivel në kampionatin turk.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare vazhdon të jetë protagonist ndeshje pas ndeshjeje, jo vetëm me gola vendimtarë, por edhe me asistime për bashkëlojtarët.
Paraqitjet e tij të qëndrueshme kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet pozitive të skuadrës, e cila po lufton për objektiva të rëndësishëm në kampionat.
Goli i realizuar së fundmi ndaj Samsunsporit nga pika e bardhë e penalltisë e ka çuar Muçin në kuotën e 12 golave sezonale. 24-vjeçari ka arritur këtë shifër në vetëm 22 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat, duke barazuar kështu rekordin e tij më të mirë personal në karrierë.
Rekordi i mëparshëm ishte vendosur në sezonin 2019/2020 me fanellën e Tiranës, kur Muçi kishte shënuar 12 gola në 27 paraqitje.
Tashmë, sulmuesit shqiptar i nevojitet vetëm edhe një gol për të thyer këtë rekord dhe për të vendosur një tjetër arritje personale, duke dëshmuar edhe një herë rritjen e tij të vazhdueshme si futbollist.

