Federata iraniane e futbollit ka reaguar me forcë ndaj deklaratave të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili sugjeroi se pjesëmarrja e ekipit kombëtar iranian në Kupën e Botës mund të mos jetë e sigurt për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Në një postim zyrtar në Instagram, i njohur si Team Melli, federata theksoi se vendimi për pjesëmarrjen në turne nuk i takon një individi apo një vendi të vetëm.
“Kupa e Botës është një ngjarje ndërkombëtare historike, dhe i vetmi institucion që e drejton këtë garë është FIFA, jo një individ apo një vend,” thuhet në deklaratën e ekipit iranian.

Federata kujtoi gjithashtu se Irani ishte ndër kombëtaret e para që kualifikohen për Botërorin, falë rezultateve të shkëlqyera në fazat e kualifikimeve. Në një pjesë të deklaratës, federata iu referua edhe Shteteve të Bashkuara, duke vënë në pah se organizatorët nuk mund të kërcënojnë pjesëmarrjen e ekipeve të tjera:
“Askush nuk mund të përjashtojë ekipin kombëtar iranian nga Kupa e Botës. I vetmi vend që mund të ketë problem është ai që ka vetëm emrin ‘pritës’, por nuk mund të garantojë sigurinë e ekipeve pjesëmarrëse në këtë ngjarje globale.”
Reagimi vjen pas postimit të Trump, ku ai shkruante se Irani ishte i mirëpritur në turne, por shprehte dyshime për sigurinë e lojtarëve. Një ditë më parë, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, konfirmoi se gjatë një takimi në Uashington, Trump i kishte dhënë siguri se ekipi iranian do të pranonte të luante.
Sipas programit të turneut, Irani do të përballet me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re në fazën e grupeve, me dy ndeshje në Los Angeles dhe një në Seattle, ndërsa baza e ekipit do të jetë në Tucson, SHBA.

