Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se procesi i aplikimit për tifozët që duan të ndjekin ndeshjen Poloni – Shqipëri, e vlefshme për play-off-in e Botërorit 2026 më 26 mars në Varshavë, do të hapet këtë të hënë.
Për shkak të numrit të kufizuar të biletave, përzgjedhja e tifozëve do të bëhet përmes një shorti elektronik, i cili do të realizohet përmes platformës t-Ticket. Të gjithë ata që dëshirojnë të aplikojnë duhet të regjistrohen më parë, duke krijuar një llogari të re ose duke përdorur një llogari ekzistuese.
Secili aplikant mund të kërkojë vetëm dy bileta, dhe procesi i aplikimit do të qëndrojë i hapur për 48 orë. Pas përfundimit të periudhës, sistemi do të përzgjedhë në mënyrë rastësore fituesit, të cilët do të njoftohen përmes email-it dhe do të marrin një link të personalizuar për të përfunduar pagesën brenda 24 orëve.
Biletat e sigurta do të jenë të aksesueshme për shkarkim në aplikacionin zyrtar “Mobilny System Biletowy”.

