Futboll Sport Vendi

Ferizaj mohon akuzat për racizëm: “Haxhimusa sportist me integritet, komunikata e nxituar”

Klubi i FC Ferizaj ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratës së publikuar nga KF Prishtina e Re, lidhur me pretendimet për fyerje me bazë racore gjatë ndeshjes së zhvilluar sot mes dy skuadrave.

Në reagimin e tyre, drejtuesit e Ferizajt i hedhin poshtë kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të pabazuara në fakte. Sipas klubit, kapiteni Betim Haxhimusa është një sportist me integritet të lartë dhe me kontribut të vazhdueshëm në futbollin kosovar, ndërsa pretendimet e ngritura nuk përfaqësojnë karakterin dhe vlerat e tij.

Ferizaj thekson se është një klub i ndërtuar mbi parimet e respektit, barazisë dhe bashkëjetesës, duke nënvizuar se në përbërje të skuadrës ka lojtarë nga prejardhje të ndryshme, përfshirë edhe futbollistë me ngjyrë, të cilët – sipas deklaratës – janë pjesë e pandashme e familjes sportive të klubit. Përmes këtij argumenti, klubi synon të dëshmojë frymën përfshirëse dhe vlerat që pretendon se përfaqëson.

Në komunikatë, reagimi i Prishtinës së Re cilësohet si i nxituar dhe pa bazë faktike. Ferizaj shton se në momentin e pretenduar të incidentit ndodhej pranë situatës edhe gjyqtari Genc Nuza, duke lënë të kuptohet se nuk është evidentuar asnjë shkelje nga zyrtarët e ndeshjes.

Klubi nga Ferizaj bën thirrje që çështja të trajtohet me qetësi dhe profesionalizëm nga organet kompetente, duke theksuar se çdo akuzë e tillë duhet të bazohet në prova konkrete dhe jo në deklarata publike.

KOMUNIKATA E PLOTË:

“FC Ferizaj reagon ndaj deklaratës së publikuar nga KF Prishtina e Re lidhur me pretendimet për fyerje me bazë racore gjatë ndeshjes së sotme.

Hedhim poshtë kategorikisht këto akuza, të cilat janë të pavërteta dhe të pabazuara. Kapiteni ynë, Betim Haxhimusa, është sportist me integritet të lartë dhe një gjë e tillë nuk përfaqëson karakterin e tij.

FC Ferizaj është klub që ndërtohet mbi respektin dhe barazinë. Në skuadrën tonë bëjnë pjesë lojtarë nga prejardhje të ndryshme, përfshirë edhe lojtarë me ngjyrë, të cilët janë pjesë e pandashme e familjes sonë sportive. Kjo dëshmon qartë frymën dhe vlerat që përfaqësojmë.

E konsiderojmë të turpshme dhe të nxituar komunikatën e KF Prishtina e Re, e cila është publikuar pa asnjë bazë faktike. Theksojmë se gjatë momentit të pretenduar, shumë pranë situatës ka qenë edhe referi Nuza, gjë që e bën edhe më të pabazuar këtë akuzë.

FC Ferizaj mbetet i përkushtuar ndaj fair-play, respektit dhe dinjitetit, dhe nuk do të lejojë që emri i klubit dhe i kapitenit tonë të njolloset me pretendime të pavërteta”, shkruan në komunikatën e Ferizajt.

Prishtina e Re pas përfundimit të ndeshjes, lëshoi një komunikatë zyrtare, ku thuhej se futbollisti i Ferizajt, Betim Haxhimusa i kishte fyer në baza racore dy futbollistët e saj, Cheick Doukoure dhe Toni Gomes.

Doukoure madje gjatë ndeshjes vendosi që ta lë fushën, por u kthye pas përpjekjeve të bashkëlojtarëve të tij.

Ndeshja Prishtina e Re – Ferizaj u mbyll 1-0, me golin e shënuar nga Drilon Fazliu në kohën shtesë.

You may also like

Sport

Presidenti i Torinos sqaron të ardhmen e Kristjan Asllanit

Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka komentuar situatën e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani, duke lënë të hapur mundësinë e një
Sport

Agim Ademi Krenaria e Futbollit të Kosovës dhe e Mërgatës Shqiptare

Arritjet e Agim Ademit si Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës janë dëshmi e vizionit, përkushtimit dhe punës së