Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka reaguar zyrtarisht ndaj Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), duke deklaruar se të gjitha ndryshimet statutore të kërkuara janë miratuar dhe janë plotësisht të harmonizuara me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare.
Përmes një videoje pesëminutëshe, të publikuar të hënën, FFK ka adresuar publikisht çështjen e statutit, pas njoftimit të MKRS-së disa ditë më parë, ku theksohej se disa procedura statutore duhej të kompletoheshin para mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor, i planifikuar për muajin shkurt.
Në reagimin e saj, FFK thekson se ndryshimet statutore janë miratuar në Kuvendin e kaluar, duke qenë të harmonizuara plotësisht me Ligjin e ri të Sportit, si dhe me kërkesat e UEFA-s dhe FIFA-s.
“FFK ka miratuar ndryshimet statutore të harmonizuara plotësisht me Ligjin e ri të Sportit, si dhe me kërkesat e UEFA-s dhe FIFA-s në punimet e Kuvendit të kaluar. Faktet flasin vetë, prandaj e risjellim momentin e këtyre ndryshimeve”, thuhet në reagimin e federatës.
Në këtë kontekst, FFK ka rikthyer pamje nga momenti i miratimit të këtyre ndryshimeve, duke insistuar se procedurat janë ndjekur në përputhje me rregullat dhe kompetencat e saj statutore.
Ndërkohë, lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili në rrjetet sociale publikoi një fotografi me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, dhe presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, nga ceremonia e 125-vjetorit të Federatës së Futbollit të Hungarisë.

“Të harmonizuar. UEFA, FIFA, FFK”, ka shkruar Ademi në mbishkrimin e postimit të tij.
Pavarësisht zhvillimeve të fundit, Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës mbetet i paraparë të mbahet më 5 shkurt 2026.

