Edhe pse nuk zhvilloi asnjë ndeshje zyrtare, Kombëtarja e Kosovës ka shënuar një tjetër hap pozitiv në arenën ndërkombëtare. Sipas ranglistës më të re të FIFA-s, të publikuar të hënën pasdite, “Dardanët” janë ngjitur për një pozitë, duke kaluar nga vendi i 80-të në vendin e 79-të.

Kjo renditje përfaqëson pozitën më të lartë historike të Kosovës që nga pranimi i saj në UEFA dhe FIFA, një tregues i qartë i stabilitetit dhe progresit të vazhdueshëm të ekipit kombëtar.
Ngritja e Kosovës lidhet kryesisht me rënien e Gabonit, i cili pësoi një zbritje drastike prej tetë pozitash pas paraqitjes në Kupën e Afrikës, duke i hapur rrugë Kosovës për të avancuar në renditje, pavarësisht mungesës së ndeshjeve.
Ndërkohë, Shqipëria ka ruajtur pozicionin e saj në vendin e 63-të, pa ndryshime nga renditja e muajit janar.

Sa i përket kreut të renditjes botërore, shtatë pozitat e para mbeten të pandryshuara, me Spanjën në krye, e ndjekur nga Argjentina, Franca, Anglia, Brazili, Portugalia dhe Holanda. Ndërkohë, Maroku ka shënuar një ngjitje të ndjeshme duke u renditur i 8-ti, pas një rritjeje prej tri pozitash, ndërsa Senegali, kampion i Afrikës, është ngjitur për shtatë vende, duke u renditur i 12-ti, para Italisë, që mban vendin e 13-të.

