UEFA ka zyrtarizuar arbitrin që do të ndajë drejtësinë në finalen e Ligës së Kampionëve 2026 ndërmjet Paris Saint-Germain dhe Arsenalit.
Finalja e madhe do të zhvillohet më 30 maj në “Puskás Arena” të Budapestit, ndërsa sfida i është besuar gjyqtarit gjerman Daniel Siebert.
40-vjeçari, i cili mban stemën ndërkombëtare të FIFA-s që nga viti 2015, do të arbitrojë për herë të parë një finale të Ligës së Kampionëve apo një finale të madhe europiane për klube.
Gjatë këtij sezoni, Siebert ka drejtuar nëntë ndeshje të Champions League, përfshirë përballjen Sporting CP – Arsenal në çerekfinale dhe gjysmëfinalen Arsenal – Atlético Madrid.
Arbitri gjerman ka përvojë edhe në kompeticionet e tjera të UEFA-s, pasi më herët ka gjykuar gjysmëfinalen e Ligës së Evropës 2025 ndërmjet Manchester United dhe Athletic Club. Ai gjithashtu ishte pjesë e Kampionatit Evropian UEFA 2024 dhe EURO 2020.
UEFA publikoi edhe ekipin e plotë të arbitrimit për finalen në Budapest.
Asistentë të Siebert do të jenë bashkëkombësit Jan Seidel dhe Rafael Foltyn, ndërsa gjyqtar i katërt është caktuar zvicerani Sandro Schärer.
Në dhomën VAR do të jetë gjermani Bastian Dankert, i ndihmuar nga Robert Schröder, ndërsa mbështetës VAR do të jetë spanjolli Carlos Del Cerro Grande.

