Një muaj para nisjes së Kupës së Botës 2026, stadiumi legjendar “Azteca” në Meksikë nuk është ende plotësisht gati për organizimin e ndeshjes inauguruese të turneut më të madh të futbollit në botë.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, impianti duhej t’i dorëzohej FIFA-s 30 ditë para fillimit të Botërorit, në mënyrë që organizmi më i madh i futbollit ta përshtaste stadiumin me standardet dhe identitetin zyrtar të kompeticionit.
Megjithatë, pas dy vitesh punime dhe rikonstruksioni të madh, stadiumi historik vazhdon të ketë mangësi. Në hapjen zyrtare të tij më 29 mars, gjatë miqësores Meksikë – Portugali, tifozët shprehën pakënaqësi për organizimin dhe kushtet në tribuna.
Rekonstruksioni i “Azteca”-s është shoqëruar me pengesa sociale, financiare dhe administrative, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në ritmin e punimeve. Edhe pse Meksika e dinte që nga viti 2018 se do të ishte bashkëorganizatore e Botërorit së bashku me SHBA-në dhe Kanadanë, projekti nisi vetëm në maj të vitit 2024.
Plani fillestar ishte që çdo gjë të përfundonte brenda vitit 2025, por vonesat kanë bërë që stadiumi të mos jetë ende në nivelin optimal vetëm pak javë para fillimit të turneut.
“Azteca”, që tashmë mban emrin “Stadio Banorte”, konsiderohet një prej stadiumeve më ikonike në historinë e futbollit botëror, por ekspertët vlerësojnë se aktualisht ai ende nuk i plotëson plotësisht standardet e kërkuara për një event të përmasave të Kupës së Botës.

