Fisnik Baliqi është një nga emrat më të suksesshëm shqiptarë në fushën e fizioterapisë sportive, i cili prej disa vitesh ushtron profesionin e tij me shumë sukses në Angli, konkretisht në Londër. Me përkushtim, profesionalizëm dhe njohuri të avancuara në rehabilitimin sportiv, ai ka arritur të ndërtojë një reputacion të fortë në mesin e sportistëve profesionistë.
Aktualisht, Fisnik Baliqi punon në klinikën e tij rehabilituese në Londër, ku bashkëpunon me një numër të madh sportistësh, kryesisht futbollistë të nivelit të lartë. Ekspertiza e tij në rikuperimin e lëndimeve sportive e ka bërë atë një emër të besuar edhe për futbollistë me famë botërore. Ndër emrat më të njohur me të cilët ka punuar janë Cesc Fàbregas, Michy Batshuayi, Willian, Michael Olise, Victor Moses, Charley Musonda dhe Ebou Adams, duke dëshmuar nivelin e lartë profesional që ofron puna e tij.

Përveç bashkëpunimit me yje të futbollit ndërkombëtar, Fisnik Baliqi ka dhënë një kontribut të veçantë edhe për futbollistët shqiptarë që veprojnë në Angli. Ai ka ndihmuar në rehabilitimin dhe rikuperimin e lojtarëve si Armando Broja, Anis Mehmeti,Adrion Pajazit e shumë të tjerë, duke qenë një mbështetje e rëndësishme për karrierën e tyre sportive. Gjithashtu ka punuar edhe me boksierin Florian Marku.

Fisniku vjen nga një familje sportive, pasi ai është vëllai i futbollistit të njohur kosovar Emin Baliqi. Kjo lidhje familjare me sportin ka ndikuar drejtpërdrejt në rrugëtimin e tij profesional dhe në kuptimin e thellë të nevojave që kanë sportistët gjatë fazave të rehabilitimit dhe rikthimit në fushë.

Me punën e tij të palodhshme dhe sukseset e arritura në një nga qendrat më të mëdha sportive në botë, Fisnik Baliqi përfaqëson një shembull të shkëlqyer të profesionalizmit dhe suksesit të kuadrove shqiptare në arenën ndërkombëtare të sportit dhe mjekësisë sportive.

