Reprezentuesi i Kosovës, Florian Loshaj, ka ndërruar ekip brenda të njëjtës ligë në Turqi. Mesfushori është larguar nga Istanbulspor, ku ishte pjesë e ekipit që nga viti 2023, dhe ka firmosur kontratë 1.5-vjeçare me Iğdır FK.
Loshaj largohet nga Istanbulspor pas paraqitjeve mjaft pozitive, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të mesfushës. Sezonin e kaluar ai shënoi 5 gola dhe dha 12 asistime, ndërsa në edicionin aktual ka realizuar 4 gola dhe 6 asistime, statistika që konfirmojnë ndikimin e tij në lojë.
Përveç eksperiencës në futbollin turk, Loshaj ka një karrierë të pasur ndërkombëtare, duke luajtur më parë në ligat e Rumanisë, Polonisë, Holandës dhe Belgjikës, çka e bën atë një përforcim të rëndësishëm për Iğdır FK.
Me këtë transferim, klubi i ri fiton një futbollist me përvojë dhe cilësi, ndërsa Loshaj synon të vazhdojë formën e mirë dhe të ketë rol kyç në ambiciet e Iğdır FK.

