E ardhmja e Myrto Uzunit tashmë është e qartë. Pavarësisht zërave të shumtë të orëve të fundit për një transferim të mundshëm te Trabzonspor në Superligën turke, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka marrë vendimin përfundimtar për vazhdimin e karrierës.
Futbollisti beratas do të mbetet pjesë e Austin FC në Major League Soccer, duke mbyllur kështu çdo spekulim për një largim të menjëhershëm nga kampionati amerikan.
Negociatat mes Austin dhe Trabzonspor nuk arritën marrëveshje përfundimtare, kryesisht për shkak të kërkesës së klubit nga SHBA për të ruajtur 15 për qind të kartonit të lojtarit në rast rishitjeje.
Oferta e klubit turk kapte vlerën e 6.5 milionë eurove, me 1.5 milionë euro shtesë në formë bonusesh, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të bindur drejtuesit e Austin që të heqin dorë nga kërkesa për përfitime të ardhshme.
Në rast se transferimi do të realizohej, Uzuni do të formonte një dyshe interesante në repartin ofensiv të Trabzonsporit së bashku me Ernest Muçin. Megjithatë, për momentin, sulmuesi kuqezi do të vazhdojë aventurën e tij në MLS, ku mbetet një nga figurat kryesore të skuadrës amerikane.

