Lëvizjet për të ardhmen e pankinës së kombëtares franceze kanë nisur. Zinedine Zidane shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e “Gjelave” pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, duke u projektuar si pasuesi ideal i Didier Deschamps.
Sipas prestigjiozes L’Équipe, Federata Franceze e Futbollit ka nisur tashmë kontaktet dhe hapat paraprakë për të përgatitur terrenin për emërimin e legjendës franceze, e cila prej kohësh ka qenë në pritje të një projekti madhor.
Zidane, nga ana e tij, ka vendosur disa kushte të qarta. Ish-trajneri i Real Madrid kërkon një staf teknik më të zgjeruar, ku do të përfshihet edhe një njësi e veçantë për analizën e të dhënave dhe statistikave, në përputhje me standardet më të larta të futbollit modern.
Vendimi përfundimtar pritet të merret pas Botërorit 2026, por sinjalet janë gjithnjë e më të qarta se rikthimi i Zidane në pankinë është më afër se kurrë.
Tashmë mbetet vetëm pyetja e madhe: a do të jetë “Zizou” njeriu që do ta udhëheqë Francën drejt një epoke të re suksesi?

