Gara për Këpucën e Artë po shkon drejt fundit dhe gjithçka duket se është në favor të Harry Kane.
Sulmuesi i Bayern Munich është shumë pranë triumfit, falë një sezoni të jashtëzakonshëm në Bundesliga.
Me 33 gola dhe 66 pikë, anglezi e kryeson bindshëm renditjen dhe tashmë e ka njërën dorë te trofeu, duke i lënë pas rivalët kryesorë si Kylian Mbappé dhe Erling Haaland, që e ndjekin me nga 48 pikë.
Pas tyre, gara për podiumin mbetet e hapur dhe një nga emrat më në formë është Igor Thiago. Sulmuesi i Brentford ka realizuar 22 gola dhe me 44 pikë është shumë pranë zonës së parë, duke mbajtur gjallë shpresat për një përfundim spektakolar të sezonit.
Ndërkohë, ylli kosovar Vedat Muriqi renditet në vendin e gjashtë me 42 pikë, pasi ka realizuar 21 gola me fanellën e Mallorca. Megjithatë, ai nuk ka gjetur rrjetën në tri ndeshjet e fundit, çka ka ndikuar në pozicionin e tij në këtë garë.
Në listë përfshihen edhe emra të tjerë si Dion Beljo me 43 pikë, Esteban Lepaul me 38 pikë dhe Luis Suárez me 37.5 pikë.
Me pak ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit, vëmendja është te sprinti final: Kane duket i pakapshëm për vendin e parë, ndërsa pas tij pritet një betejë e fortë për podiumin, ku çdo gol mund të bëjë diferencën.

