Komisioni Disiplinor i Federatës Spanjolle të Futbollit ka dënuar rëndë portierin e Real Zaragoza, Esteban Andrada, pas incidentit të ndodhur në derbin aragonez ndaj SD Huesca.
Gardiani i Zaragozës është suspenduar me 12 ndeshje pasi goditi me grusht kapitenin e Huescas, Jorge Pulido, gjatë përplasjes së tensionuar në fundjavën e kaluar.
Sipas raportimeve nga Royal Spanish Football Federation, Andrada reagoi pasi mori kartonin e dytë të verdhë dhe më pas goditi Pulidon, duke i shkaktuar ënjtje në mollëz.
Incidenti solli edhe përfshirjen e futbollistëve të tjerë. Portieri i Huescas, Dani Jimenez, u dënua me katër ndeshje për një grusht tjetër gjatë përplasjes, ndërsa Dani Tasende i Zaragozës u suspendua për dy ndeshje.
Ngjarja ka bërë bujë në futbollin spanjoll, ndërsa Zaragoza do të mbetet pa portierin titullar për një periudhë të gjatë në fazën vendimtare të sezonit.

