Hyrja e papritur e Lim Hotit të premten në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova ka krijuar menjëherë tensione dhe dinamika të reja, veçanërisht në raport me ish-partneren e tij, Alba Pollozhanin.
Pas ballafaqimit të parë mes tyre brenda shtëpisë, ka ardhur edhe një reagim zyrtar nga personat që menaxhojnë rrjetet sociale të Albës, përfshirë familjarë dhe rrethin e saj të ngushtë. Përmes një postimi në Instagram, ata kanë kritikuar ashpër sjelljen e Limit, duke e cilësuar atë si presion dhe dhunë verbale.
Sipas reagimit, gjuha e përdorur nga Limi, përfshirë shprehje dhe fraza si “mos më bëj të dal në tjetër nivel”, nuk përbën debat normal, por tejkalon kufijtë e komunikimit të pranueshëm.
Në postim thuhet se hyrja e tij në shtëpi kishte për qëllim poshtërimin dhe diskreditimin e Albës, si dhe shtrembërimin e një historie personale.
“Ai hyri vetëm për ta poshtëruar, për ta nxjerrë gënjeshtare dhe për të shtrembëruar një histori personale jashtë çdo forme respekti, thjesht sepse ajo pati guximin të bëjë një ndarje publike një muaj më parë,” thuhet në reagim.
Nga ana tjetër, familjarët kanë vlerësuar qëndrimin e Albës gjatë situatës së tensionuar, duke theksuar se zgjedhja e saj për të qëndruar e qetë dhe për të mos reaguar, sipas tyre, dëshmon dinjitet dhe vetëkontroll.
“Kjo sjellje nuk e ul Albën. Përkundrazi, ekspozon qartë atë që përdor fjalë, presion dhe kërcënim kur humb kontrollin,” përfundon reagimi.
Ngjarja ka nxitur reagime të shumta edhe në rrjetet sociale, duke e kthyer këtë përballje në një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit në BBVK.

