Gjendja fizike e ish-presidentit dhe kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka tërhequr ditën e sotme vëmendjen e të gjithëve, ku është vënë re një ndryshim drastik në paraqitjen e tij. I dobësuar dhe me flokë të prerë shkurt e të thinjur, Meta u shfaq në kafazin e qelqtë ndryshe nga imazhi publik që ka pasur ndër vite, duke ngjallur kështu reagime dhe diskutime të shumta në rrjet.
Për këtë situatë është pyetur edhe pedagogu i gazetarisë dhe përfaqësuesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Zylyftar Bregu, i cili ka ndarë disa detaje nga një takim i tij me Metën. Gjatë fjalës së tij në emisionin “Top Story”, Bregu ka rrëfyer se ndryshimi fizik i ish-presidentit ishte i dukshëm dhe i papritur edhe për të në momentin kur dhe u takuan.
“Unë kam bërë një raport monitorimi dhe Helsinki do mbajë qëndrimet e veta, por disa gjëra, nisur edhe nga interesi i madh për shëndetin e tij, mund t’i them. Edhe unë u habita kur u ndesha me këtë gjendje të tij fizike, por gjatë bisedës me të dhe njohjes që kam rreth burgut mund ta shpjegoj”, ka thënë ai, duke shtuar më tej se kushtet e qëndrimit në paraburgim dhe rutina e “cunguar” e tij mund të kenë ndikuar në këtë gjendje.
Sipas profesorit Ilir Meta lejohet të marrë ushqim të freskët vetëm një herë në javë, dhe kjo sipas tij e detyron të menaxhojë vetë ushqimin për ditët e mbetura. Po ashtu ai ka theksuar se sistemi i burgjeve nuk vendon kufizime standarte për sasinë e ushqimeve që lejohen të dërgohen nga familjarët, mirëpo në rastin e Metës këto “rregulla” respektohen dhe ish-presidentit i peshohet dhe ushqimi që i sillet nga familjarët.
Gjithashtu një tjetër element i cili sipas tij mund të ketë ndikuar në gjendjen e Metës është dhe mungesa e diellit, pasi kreu i Partisë së Lirisë lejohet të dalë në ajrim vetëm një herë në ditë.

