E ardhmja e Elseid Hysajt te Lazio vazhdon të mbetet e paqartë, ndërsa sinjalet e fundit nga drejtuesit e klubit italian nuk janë aspak pozitive për mbrojtësin shqiptar. Drejtori sportiv i Lazios, Angelo Fabiani, ka folur së fundmi për ndërtimin e skuadrës dhe merkato, duke u distancuar qartë nga transferimi i Hysajt.
Gjatë një deklarate publike, Fabiani theksoi se nuk ka qenë ai përgjegjës për afrimin e mbrojtësit kuqezi, duke lënë të kuptohet se lojtari nuk ka qenë pjesë e planeve të tij sportive. “Fabiani nuk e solli Hysajn. I vetmi lojtar që kam sjellë unë është Gigot”, u shpreh drejtori sportiv, duke hequr çdo përgjegjësi personale për situatën aktuale të shqiptarit, i cili po gjen shumë pak hapësira në formacion dhe shpesh mbetet në stol.

Fabiani reagoi ashpër edhe ndaj kritikave që i janë bërë për menaxhimin e klubit dhe marrëdhënien me trajnerin Maurizio Sarri, duke nënvizuar se problemet aktuale nuk mund t’i atribuohen ardhjes së tij. Ai kujtoi se pas mbërritjes së tij, Lazio u kualifikua në kompeticionet evropiane dhe se puna e bërë në sektorët e rinjve dhe ekipin e femrave ka qenë pozitive.
“Nëse duhet të marr përgjegjësi, do ta bëj, por nuk kam lindur dje. Duhet të jemi të kujdesshëm me fjalët dhe me mesazhet që dërgojmë”, deklaroi Fabiani, duke shtuar se po krijohet një perceptim i gabuar rreth rolit të tij në ndërtimin e skuadrës.
Deklaratat e drejtorit sportiv shtojnë edhe më shumë dyshimet mbi të ardhmen e Elseid Hysajt te Lazio, me mbrojtësin shqiptar që mund të jetë një nga emrat në listën e largimeve në merkatot e ardhshme, nëse situata nuk ndryshon.

