Zlatan Ibrahimović ka rrëfyer detaje të vështira nga fëmijëria e tij në librin e ri “Adrenalin”, duke zbuluar se familja e tij përballej me kushte të rënda ekonomike gjatë viteve të hershme në Suedi.

Ish-sulmuesi suedez me prejardhje boshnjake tregoi se nëna e tij punonte gjithë ditën, ndërsa babai i tij përballej me probleme me alkoolin dhe familja shpesh kishte vështirësi financiare. Ai kujtoi se shpesh nuk kishte ushqim dhe mbante të njëjtat rroba sportive.
Sipas Ibrahimovićit, më vonë mësoi se shteti suedez i ndante çdo muaj 75 euro për nxënësit, por ato para përfundonin te babai i tij. Pasi e kuptoi këtë nga shokët e klasës, ai kërkoi shpjegim nga i ati dhe më pas hapi kartelë bankare që t’i tërhiqte vetë paratë.
“Kur vinte data 20, unë prisja mesnatën te bankomati edhe kur binte borë, vetëm për t’i tërhequr paratë”, kujtoi legjenda suedeze.
Pavarësisht vështirësive, Ibrahimović theksoi se futbolli ishte arratisja e tij e vetme dhe vendi ku gjente lumturi, duke e kthyer më vonë atë histori të dhimbshme në motivim për t’u bërë një nga futbollistët më të mëdhenj në histori.

