Prishtina do të përballet me një goditje të rëndë në fazën vendimtare të sezonit, pasi sulmuesi kryesor Mario Ilievski do të mungojë për një periudhë të gjatë për shkak të një lëndimi serioz.
23-vjeçari pësoi dëmtim në ndeshjen ndaj Llapit, ndërsa më pas iu nënshtrua me sukses një operimi në tendinën e Akilit të këmbës së djathtë. Sipas stafit mjekësor, periudha e rikuperimit pritet të zgjasë nga katër deri në gjashtë muaj.
Kjo mungesë konsiderohet e madhe për ekipin kryeqytetas, duke pasur parasysh ndikimin që Ilievski kishte në repartin ofensiv. Ai iu bashkua Prishtinës verën e kaluar dhe në 31 paraqitje në të gjitha garat ka kontribuar me 14 gola dhe 5 asistime, duke qenë një nga lojtarët kyç të skuadrës.
Në këtë fazë të sezonit, Prishtina do të duhet të gjejë zgjidhje alternative në sulm, ndërsa rikthimi i Ilievskit pritet vetëm në fillim të sezonit të ardhshëm.

