Formula 1 po përgatitet për një seri ndryshimesh të rëndësishme që synojnë rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e spektaklit në pistë, me fokus të veçantë te parakalimet. Këto masa pritet të testohen për herë të parë në Çmimin e Madh të Miamit, që zhvillohet më 3 maj.
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka bërë të ditur se ndryshimet janë dakorduar në bashkëpunim me skuadrat, prodhuesit e motorëve dhe drejtuesit e Formula One Management, pas konsultimeve edhe me pilotët. Miratimi përfundimtar nga Këshilli Botëror i Motorsportit konsiderohet formalitet, pasi ekziston një konsensus i gjerë.
Një nga pikat kryesore është mënyra e përdorimit të energjisë elektrike në makinat hibride. Synimi është që kualifikimet të bëhen më dinamike dhe të reduktohet rreziku i incidenteve gjatë parakalimeve në shpejtësi të lartë, duke kufizuar fuqinë shtesë dhe menaxhimin e baterisë.
Ndryshimet përfshijnë gjithashtu karikim më të shpejtë të energjisë në shpejtësi të larta dhe kufizime në përdorimin maksimal të saj për xhiro. FIA synon të ulë konsumin e tepërt të energjisë dhe të nxisë një stil drejtimi më të qëndrueshëm dhe më të kontrolluar.
Këto masa vijnë edhe si reagim ndaj shqetësimeve të disa pilotëve, përfshirë George Russell, i cili ka theksuar se strategjia e baterisë po ndikon më shumë sesa aftësia reale në pistë. Ndërkohë, pas incidenteve të fundit, FIA po shqyrton edhe kufizime në “boost”-in e fuqisë gjatë parakalimeve dhe përdorimin e sistemeve paralajmëruese vizive.
Testimi i këtyre rregullave në Miami do të shërbejë si një provë e rëndësishme përpara se ato të implementohen në mënyrë më të gjerë në sezon, me synimin për të balancuar sigurinë, konkurrencën dhe spektaklin në Formula 1.

