Boksierja algjeriane Imane Khelif ka deklaruar se është e gatshme t’i nënshtrohet një testi gjinor nëse kjo është kusht për të garuar në Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit 2028, pas polemikave të vazhdueshme që e kanë shoqëruar që nga Olimpiada e Parisit. Khelif, e cila fitoi medaljen e artë në peshat welter për femra në Paris 2024, ka qenë në qendër të akuzave dhe dyshimeve mbi të drejtën e saj për të garuar në kategorinë e femrave.
Në një intervistë për CNN, ajo theksoi se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se do të pranojë çdo test të kërkuar vetëm për të mos iu mohuar e drejta olimpike. “Sigurisht që do të pajtohem me çdo test që kërkohet për të garuar. Duhet të mbrohen gratë, por duke i mbrojtur ato, nuk duhet të dëmtohen gra të tjera. Unë nuk jam transgjinore. Jam grua. Dua të jetoj jetën time. Ju lutem, mos më përdorni për agjenda politike,” u shpreh Khelif.

Ajo dhe boksierja tajvaneze Lin Yu-ting u skualifikuan nga Kampionati Botëror 2023 nga Shoqata Ndërkombëtare e Boksit (IBA), për shkak të pretendimeve se nuk kaluan testet e përcaktimit të gjinisë, por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, i cili i hoqi njohjen IBA-s në qershor 2023, i lejoi të dyja të garonin në Paris. Ndërkohë, organi i ri World Boxing ka prezantuar testimin gjenetik të detyrueshëm, ndërsa Khelif ka depozituar një ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport kundër këtyre rregullave.

