Pas katër dekadash pritjeje, luftërash, sanksionesh dhe krizash të shumta politike e sportive, Iraku është rikthyer në Kupën e Botës.
Përfaqësuesja irakiane siguroi kualifikimin për Botërorin 2026 pas fitores ndaj Bolivisë në Meksikë, pikërisht në vendin ku kishte bërë paraqitjen e parë dhe të vetme në skenën më të madhe të futbollit, në vitin 1986.
Atëherë, Iraku humbi të tri ndeshjet në grup ndaj Paraguait, Belgjikës dhe Meksikës. Njëri nga futbollistët e asaj gjenerate, Karim Allawi, sot 66-vjeçar, e pret me emocione rikthimin e ekipit të tij në Botëror.
Ai ka thënë për BBC se grupi i Irakut në Botërorin 2026 është edhe më i vështirë se ai i vitit 1986, por shpreson që gjenerata aktuale të arrijë rezultate më të mira.
Iraku do ta nisë garën më 16 qershor ndaj Norvegjisë së Erling Haalandit në Boston, ndërsa në grup do të përballet edhe me Francën dhe Senegalin.
Skuadra aktuale ka në përbërje disa futbollistë me përvojë evropiane, si Ali Al-Hamadi i Ipswich Town, Zidane Iqbal i Utrechtit dhe Kevin Yakob, i cili së fundi fitoi titullin kampion në Danimarkë.
Një rol të rëndësishëm në këtë sukses pati edhe selektori Graham Arnold, i emëruar në vitin 2025. Nën drejtimin e tij, Iraku kaloi fillimisht Emiratet e Bashkuara Arabe në plejof, e më pas edhe Bolivinë, duke e mbyllur me sukses një rrugëtim të gjatë prej 21 ndeshjesh drejt Kupës së Botës.
Kthimi i Irakut në Botëror ka domethënie të madhe për vendin. Futbolli irakian është përballur për dekada me pasoja të rënda nga luftërat, sanksionet ndërkombëtare, krizat ekonomike dhe mungesa e stabilitetit institucional.
Në periudhën e regjimit të Saddam Husseinit, federata irakiane ishte drejtuar nga djali i tij, Uday Hussein, i cili u akuzua për ndëshkime të rënda, dhunë dhe tortura ndaj futbollistëve. Edhe pas rrëzimit të regjimit, futbolli në Irak nuk arriti të stabilizohej për shumë vite.
Për një kohë të gjatë, Iraku nuk mundi t’i zhvillonte ndeshjet në Bagdad, ndërsa ndeshjet vendimtare shpesh i luante në vende të tjera. Vetëm në vitin 2020, FIFA lejoi që ndeshjet ndërkombëtare të zhvilloheshin në Basra.
Edhe udhëtimi për plejofin ndaj Bolivisë ishte i vështirë për shkak të situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme, por futbollistët ia dolën të shkonin në Meksikë dhe u kthyen si heronj.
Në Bagdad u organizua paradë festive, ku lojtarët u pritën nga mijëra tifozë pas kualifikimit historik.
Tani Iraku hyn në Botëror pa shumë presion, përballë kundërshtarëve shumë të fortë. Por vetë rikthimi në këtë garë pas 40 vjetësh konsiderohet fitore e madhe për një vend që ka pritur gjatë për ta parë përsëri ekipin e tij në skenën globale.

