Një prapaskenë interesante nga dhomat e zhveshjes së Barcelonës është zbuluar së fundmi nga ish-mesfushori Andrea Orlandi, i cili ka treguar marrëdhënien e veçantë mes Lionel Messit dhe Ronaldinhos në vitet e para të argjentinasit te skuadra katalanase.
Orlandi, i cili ishte pjesë e Barcelonës nga viti 2005 deri në vitin 2007, kujtoi atmosferën brenda ekipit dhe rolin që kishte Ronaldinho në zhvillimin e Messit, në kohën kur ky i fundit sapo kishte nisur të shpërthente në futbollin e madh.
Duke folur në podcastin “HProject”, ish-futbollisti tregoi se braziliani shpesh i kërkonte Messit t’i përgatiste kafe, por gjithçka bëhej në formë shakaje dhe me shumë dashamirësi.
Sipas Orlandit, Ronaldinho i thoshte Messit: “Sa Kupa Bote ke luajtur ti, djalosh?”, ndërsa më pas argjentinasi i përgatiste kafenë. Ai e përshkroi këtë si një mënyrë të Ronaldinhos për ta mbajtur Messin me këmbë në tokë dhe njëkohësisht pranë vetes.
Raporti mes dy yjeve ishte shumë më tepër se një marrëdhënie mes shokësh skuadre. Ronaldinho kishte rolin e mentorit, ndërsa Messi ishte talenti i ri që mësonte nga një prej futbollistëve më të mirë të botës në atë periudhë.
Kimia mes tyre u pa edhe në fushë. Pikërisht Ronaldinho ishte ai që asistoi në golin e parë të Messit me ekipin e parë të Barcelonës, në ndeshjen ndaj Albacetes, më 1 maj të vitit 2005.
Braziliani ishte lideri i Barcelonës që fitoi dy tituj të La Ligës dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2006. Ai më vonë kishte deklaruar se e kishte kuptuar herët se Messi do të bëhej futbollisti më i mirë në botë.
Edhe Messi nuk e ka fshehur kurrë ndikimin që Ronaldinho pati në fillimet e tij te Barcelona, duke pranuar se braziliani e ndihmoi të përshtatej me ambientin e ekipit të parë.
Simboli më i madh i respektit mes tyre erdhi në vitin 2008, kur Ronaldinho u largua nga “Camp Nou” për t’iu bashkuar Milanit. Para largimit, ai i kërkoi Messit të trashëgonte fanellën legjendare me numrin 10, duke ia kaluar stafetën lojtarit që më pas do të fitonte tetë “Topa të Artë” dhe do ta udhëhiqte Barcelonën drejt një epoke historike.

