Ish-pronari i klubit anglez Nottingham Forest, Fawaz Al-Hasawi, ka mbetur i plagosur pasi u sulmua me thikë nga persona të maskuar në shtëpinë e tij luksoze në Londër.
Sipas raportimeve të mediave britanike, 57-vjeçari, i cili drejtoi Forestin nga viti 2012 deri në 2017, dyshohet se ishte në gjumë kur grabitësit hynë në dhomën e tij të gjumit në rezidencën me vlerë rreth 10 milionë funte. Gjatë përballjes, ai ka pësuar plagë me thikë në dorë, si dhe lëndime në qafë dhe gërvishtje në fytyrë.

Mediat nga Kuvajti raportojnë se Al-Hasawi ka rezistuar dhe është përleshur me sulmuesit, duke i detyruar ata të largohen nga vendi i ngjarjes dhe të lënë pas edhe armët e përdorura.
Fotografi të publikuara në rrjetet sociale e shfaqin Al-Hasawin në spital në zonën e Mayfair-it, me dorën e majtë të fashuar dhe një fashë në gishtin e vogël të dorës së djathtë. Një tjetër imazh tregon shtratin e tij të përgjakur.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur më herët gjatë këtij muaji, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e sulmit.

