Futboll Kombëtarja Shqipëria Sport

Juljan Shehu para Polonisë: Varshava e vështirë, por Shqipëria ka gjithçka për ta realizuar ëndrrën

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Juljan Shehu, ka folur për mediat polake në prag të sfidës së rëndësishme Poloni–Shqipëri, ndeshje kjo e vlefshme për fazën “Play-Off” të Kupës së Botës. Dueli do të zhvillohet më 26 mars në Varshavë dhe pritet të ketë një rëndësi historike për të dyja përfaqësueset.

Shehu, i cili aktualisht aktivizohet me Widzew Łódź në kampionatin polak, vlerësohet si një nga lojtarët kyç në mesfushën kuqezi, ndërsa kontributi i tij mund të jetë vendimtar në përpjekjen e Shqipërisë për të realizuar ëndrrën e madhe – kualifikimin në një Kampionat Botëror.

Duke folur për këtë përballje, mesfushori kuqezi pranoi se tema e ndeshjes është prekur edhe brenda klubit të tij aktual.

“Po, kemi folur pak për këtë ndeshje. Ata shpresojnë që ta fitojë Polonia, ndërsa unë shpresoj që fitorja t’i takojë Shqipërisë,” u shpreh Shehu.

Sa i përket pritshmërive, ai theksoi se përballja do të jetë shumë e vështirë për të dyja skuadrat.

“Do të jetë një ndeshje shumë e fortë. Në takime të tilla, gjithçka vendoset nga detaje shumë të vogla. Polonia ka një avantazh të lehtë sepse luan në Varshavë dhe ka mbështetjen e tifozëve. E di sa e vështirë është të luash atje, pasi tifozët polakë janë shumë të zjarrtë dhe e mbështesin fuqishëm ekipin e tyre,” shtoi ai.

Shehu foli edhe për rolin e tij në Kombëtaren shqiptare, duke theksuar ndryshimet krahasuar me atë që luan te klubi.

“Roli im te Widzew është më ofensiv, ndërsa në Kombëtare kam më shumë detyra mbrojtëse. Kjo varet nga taktikat e trajnerëve. Unë jam një lojtar që mund të përshtatet me të dyja rolet dhe përpiqem gjithmonë të jap maksimumin, si për klubin ashtu edhe për Kombëtaren,” deklaroi ai.

I pyetur për stilin e lojës së Shqipërisë dhe krahasimet me futbollin italian, Shehu u shpreh se ka ngjashmëri, por theksoi se skuadra ka cilësi në çdo repart.

“Trajneri ynë ka punuar me trajnerë italianë si Mancini dhe shumë prej lojtarëve tanë aktivizohen në Itali. Prandaj ka elementë të ngjashëm. Megjithatë, Shqipëria ka lojtarë cilësorë në të gjitha repartet, jo vetëm në mesfushë,” tha mesfushori kuqezi.

Në fund, ai vlerësoi edhe Kombëtaren polake, duke e cilësuar si një ekip shumë të fortë dhe me përvojë.

“Jemi përballur disa herë me Poloninë në dy vitet e fundit dhe njihemi mirë me njëri-tjetrin. Ata kanë lojtarë shumë cilësorë dhe me trajnerin aktual kanë bërë përparim të dukshëm,” përfundoi Shehu.

You may also like

Sport

Presidenti i Torinos sqaron të ardhmen e Kristjan Asllanit

Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka komentuar situatën e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani, duke lënë të hapur mundësinë e një
Sport

Agim Ademi Krenaria e Futbollit të Kosovës dhe e Mërgatës Shqiptare

Arritjet e Agim Ademit si Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës janë dëshmi e vizionit, përkushtimit dhe punës së