Kapitenia e Përfaqësueses së Kosovës, Erëleta Memeti, ka lënë gjurmë në edicionin inaugurues të “UEFA Women’s Europa Cup”, duke u renditur në mesin e futbollisteve më të dalluara të turneut.
Kompeticioni i ri evropian për futbollin e femrave përfundoi të premten, me skuadrën suedeze Häcken që u shpall kampione, pasi triumfoi në finale ndaj Hammarbyt.
Megjithatë, përveç skuadrave finaliste, në këtë garë spikati edhe një emër nga Kosova. Erëleta Memeti, që mban shiritin e kapitenes te Përfaqësuesja, ishte ndër lojtaret më produktive në aspektin ofensiv, duke u renditur ndër më të mirat për asistime.
Futbollistja kosovare, e cila aktivizohet te Eintracht Frankfurti, e mbylli këtë edicion me dy asistime, duke dhënë kontribut të rëndësishëm për skuadrën e saj në këtë garë.
Frankfurti i Memetit arriti deri në gjysmëfinale, por u eliminua pikërisht nga kampionia Häcken me rezultat të përgjithshëm 3:1.
Në listën e asistueseve më të mira të turneut, vendin e parë e mbajti Stina Lennartsson e Hammarbyt, me katër asistime gjithsej.
Paraqitjet e Memetit në këtë kompeticion konfirmojnë edhe një herë rritjen e saj në skenën ndërkombëtare dhe rolin e rëndësishëm që ajo ka si lidere e Përfaqësueses së Kosovës.

