Gara në Superligën e Kosovës vazhdon këtë fundjavë me ndeshjet e xhiros së 32-të, të cilat pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në renditjen përfundimtare.
Të shtunën zhvillohen dy përballje në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Nga ora 14:00, në fushën me bar artificial, përballen Prishtina e Re dhe Drita. Ndërkohë, nga ora 16:00, në fushën me bar natyral, luhet dueli mes Prishtinës dhe Malishevës.
Prishtina vazhdon të mos luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” për shkak të punimeve që po zhvillohen në këtë impiant.
Në aspektin tabelar, Drita kërkon pikë të reja për të ruajtur epërsinë në krye, ndërsa përballja mes Prishtinës dhe Malishevës konsiderohet vendimtare për garën drejt Evropës. Malisheva aktualisht renditet e treta me 49 pikë, katër më shumë se Prishtina që mban vendin e katërt. Vendi i tretë siguron pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Drita kryeson tabelën me 60 pikë, pesë më shumë se Ballkani që ndodhet në vendin e dytë. Në anën tjetër, Prishtina e Re mbetet në fund të tabelës me 28 pikë, duke luftuar për mbijetesë.
Xhiroja e 32-të vazhdon të dielën me tri ndeshje të tjera: Gjilani përballet me Ferizajn, Dukagjini pret Drenicën, ndërsa Ballkani luan ndaj Llapit.
Të gjitha këto përballje pritet të kenë ndikim të madh në renditjen përfundimtare dhe në garën për titull, Evropë dhe mbijetesë.

