KB Trepça po vazhdon epokën e artë në basketbollin kosovar, duke e fituar për herë të pestë radhazi Kupën e Kosovës. Mitrovicasit konfirmuan edhe një herë supremacinë e tyre në skenën vendore me një paraqitje bindëse në finalen e madhe.
Në ndeshjen e zhvilluar në Rahovec, “xehetarët” triumfuan me rezultat të thellë 91:72 ndaj KB Bashkimi, duke mos lënë asnjë hapësirë për befasi dhe duke kontrolluar lojën nga fillimi deri në fund.
Figura kryesore e takimit ishte Amzil, i cili udhëhoqi Trepçën me 22 pikë të realizuara, duke qenë lojtari më i dalluar në parket dhe një faktor kyç në këtë sukses.
Në anën tjetër, për Bashkimin u veçua Zeqiri me 19 pikë, por përpjekjet e tij nuk mjaftuan për të ndalur ritmin e lartë të mitrovicasve.
Ky triumf i radhës e vulos dominimin e Trepçës në basketbollin kosovar dhe forcon pozitën e saj si skuadra më e suksesshme e viteve të fundit, duke ngritur edhe më lart standardin e konkurrencës në basketbollin vendor.

