Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe prezantimit të projektit katërvjeçar për periudhën e ardhshme, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, shpalosi edhe një risi të rëndësishme për futbollin kosovar.
Ademi bëri të ditur se Federata e Futbollit e Kosovës ka arritur marrëveshje me kompaninë e njohur botërore Adidas, e cila do të jetë sponsor zyrtar i fanellave dhe veshjeve sportive të Kombëtares së Kosovës. Kjo marrëveshje përfshin të gjitha kategoritë e përfaqësueseve, si në konkurrencën e meshkujve ashtu edhe të femrave.
Sipas tij, ky bashkëpunim përbën një hap të madh përpara dhe një arritje të rëndësishme për FFK-në, duke e vendosur Kosovën në partneritet me një nga brendet më prestigjioze të veshjeve sportive në botë. “Dardanët” tashmë do të paraqiten në arenën ndërkombëtare me fanella të prodhuara nga Adidas, çka rrit imazhin, profesionalizmin dhe identitetin e futbollit kosovar.
Marrëveshja me Adidas vlerësohet si një tjetër sukses në kuadër të vizionit afatgjatë të FFK-së për zhvillimin dhe avancimin e futbollit në Kosovë.

