Agim Ademi është rizgjedhur president i Federatës së Futbollit të Kosovës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar 2026–2030, pas mbështetjes së plotë që mori në Kuvendin e Rregullt Zgjedhor të FFK-së, të mbajtur sot në hotelin “Emerald”.
Nga 52 delegatë sa ishin të pranishëm, të gjithë votuan pro vazhdimit të mandatit të tij, duke konfirmuar besimin ndaj drejtimit aktual të federatës. Para procesit zgjedhor, Ademi prezantoi raportin e punës për vitin 2025, si dhe programin për mandatin e ri, i fokusuar në zhvillimin e mëtejmë të futbollit kosovar nën moton “Me futbollin, për Kosovën”.
Në të njëjtin Kuvend, u zgjodhën edhe anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, të cilët morën 49 vota pro, ndërsa tre delegatë abstenuan.

Punimet e Kuvendit u zhvilluan në prani të përfaqësuesve të lartë të UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe të institucioneve vendore sportive. Kuvendi u përshëndet edhe nga zëvendëspresidenti i UEFA-s, Armand Duka, i cili përcolli mesazhe mbështetëse nga drejtuesit më të lartë të shtëpisë evropiane të futbollit në krye me Aleksander Čeferin.

Pas rizgjedhjes, Ademi falënderoi delegatët për besimin e dhënë, duke theksuar se uniteti dhe bashkëpunimi mbesin kyçe për avancimin e futbollit në Kosovë. Ai u shpreh se mandatin e ri do ta ushtrojë me përgjegjësi dhe përkushtim, në bashkëpunim të ngushtë me stafin dhe organet e federatës.

