Leard Sadriu ka dërguar një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë ndaj provokimeve të disa huliganëve rumunë, duke theksuar identitetin dhe ekzistencën e Kosovës si shtet i pavarur.
Mbrojtësi shqiptar ka folur edhe për përvojën e tij te Argesi, ku shprehet i kënaqur me ambientin dhe respektin që ka gjetur në Rumani:
“Tek Argesi jam pritur shumë mirë, me duar të hapura nga të gjithë. Kam punuar fort gjatë kësaj periudhe dhe shpresoj të vazhdoj njësoj edhe në pjesën e dytë të kampionatit.”

Sadriu konfirmoi se ka pasur interesim nga klube të tjera, por theksoi se aktualisht është i përqendruar vetëm te skuadra e tij: “Ka pasur interesim, por tani e kam mendjen vetëm te Argesi dhe dua të jap maksimumin për klubin.”
Ai vlerësoi gjithashtu mënyrën se si është trajtuar në Rumani: “Ky vend më pëlqen shumë. Njerëzit janë të respektueshëm. Respektojnë punën tënde dhe atë se kush je, jo prej nga vjen.”
Sadriu reagoi edhe ndaj parrullave provokuese të disa huliganëve rumunë, të njohur si ‘Uniti Sub Tricolor’, të cilët kanë shpalosur mesazhe si “Kosova është Serbi”.
“Kjo është më shumë politikë dhe nuk dua të futem në atë pjesë. Ne jemi shtet. Për këtë luajmë dhe prezantojmë vendin tonë. Ne jemi Kosova. Kemi flamurin, historinë dhe identitetin tonë. Jemi të pranuar nga FIFA dhe UEFA, dhe ky është realiteti.”

Në fund, mbrojtësi foli edhe për rrugëtimin e tij personal, sakrificat e familjes dhe fëmijërinë e kaluar në Kosovën e pasluftës, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin e karakterit dhe ëndrrës së tij për të pasur sukses në futboll.

