Përfaqësuesja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, në kuadër të përgatitjeve për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku “Dardanët” do të garojnë në Ligën B.
Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se skuadra e drejtuar nga Franco Foda fillimisht do të përballet me Kombëtaren e Çekisë më 31 maj në stadiumin “Epet Arena” në Pragë. Kjo ndeshje konsiderohet një test i rëndësishëm për Kosovën ndaj një kundërshtari me përvojë në futbollin evropian.
Çekia tashmë e ka siguruar pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror 2026, pasi triumfoi ndaj Danimarkës në “play-off”-in evropian. Aktualisht, çekët renditen në vendin e 41-të në ranglistën e FIFA-s.
Kosova dhe Çekia janë përballur dy herë më parë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020. “Dardanët” kishin fituar në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultat 2:1, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Plzen kishin pësuar humbje me rezultat identik.
Ndërkohë, miqësorja e dytë do të zhvillohet më 7 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Kosova do të përballet me Andorrën.
Edhe ndaj Andorrës, Kosova ka luajtur dy ndeshje në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024. Në Prishtinë ishte regjistruar barazim 1:1, derisa në transfertë “Dardanët” kishin triumfuar bindshëm me rezultat 3:0.
FFK ka njoftuar se Kombëtarja do të grumbullohet më 27 maj në hotelin “Emerald”, ndërsa këto dy miqësore do t’i shërbejnë stafit teknik për vazhdimin e ndërtimit të skuadrës para sfidave në Ligën B, ku Kosova ndodhet në Grupin B3 së bashku me Austrinë, Izraelin dhe Irlandën.

