Pasditen e kësaj të hëne në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seanca e jashtëzakonshme plenare për zgjedhjen e presidentit. Që në nisje kjo seancë filloi me mes tensioneve dhe përçarjeve politike, teksa opozita vendosi që të mos marrë pjesë në proces.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës e bojkotuan seancën, duke e cilësuar atë si një veprim të njëanshëm dhe pa seriozitet. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se kjo është një “shfaqje propagande”, ndërsa Bedri Hamza theksoi se çështja e zgjedhjes së presidentit është e mbyllur dhe ftesat për pjesëmarrje nuk janë të sinqerta.

Ndërkohë në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti akuzoi opozitën për bllokim të qëllimshëm institucional, duke theksuar se vendi ka arritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Ai paralajmëroi se dështimi i këtij procesi do ta çonte vendin në zgjedhje të reja, duke thelluar më tej paqëndrueshmërinë politike dhe duke penguar funksionimin normal të institucioneve.
Kurti hodhi poshtë akuzat se qeveria i është shmangur përgjegjësive, duke insistuar se ka pasur angazhim të vazhdueshëm për qeverisje dhe vendimmarrje.

“Sot kemi mbërritur në fund të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Dështimi e dërgon vendin në zgjedhje të reja, që do të ishin të pestat me radhë prej 16 muajve. Pra pothuajse çdo stinë të vitit do të kishim zgjedhje. Zgjedhjet e reja do të frenojnë punën e qeverisë.
Akuzat se Vetëvendosja ikën nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Nuk ka pasur as në mars të vitit 2021, as në shkurt të këtij viti, asnjë vonesë, asnjë ngurrim dhe asnjë shmangie në marrjen e përgjegjësive për të qeverisur. Kjo është e matshme dhe e verifikueshme”, tha Kurti ndër të tjera.
Nga ana tjetër, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cilësoi mungesën e opozitës si veprim me pasoja të drejtpërdrejta, që bllokon një procedurë kushtetuese dhe rrezikon ta fusë vendin në një krizë të panevojshme institucionale.

“Mungesa e opozitës është një veprim që prodhon pasoja direkt, bllokimin e një procedure kushtetuese dhe shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar këtë çështje në mënyrë përfundimtare, deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç rasteve kur kanë marrë leje të rregullt paraprake”, tha Haxhiu.

