Kosova do të përballet me Bullgarinë këtë të shtunë nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një duel të rëndësishëm të Grupit C2 të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2027 në futbollin e femrave.
Vashat e Kosovës vijnë në këtë përballje me moral të lartë, pasi vetëm pak ditë më parë triumfuan bindshëm 3:1 ndaj të njëjtit kundërshtar në Sofje. Forma e mirë reflektohet edhe në bilancin e përgjithshëm, ku Kosova ka fituar gjashtë nga shtatë përballjet e fundit ndaj Bullgarisë.
Aktualisht, Kosova kryeson grupin me nëntë pikë të plota nga tri ndeshje, duke lënë pas Kroacinë me gjashtë pikë dhe Bullgarinë me tri, ndërsa Gjibraltari mbetet pa pikë.
Një fitore tjetër do ta afronte edhe më shumë Kosovën drejt vendit të parë, që siguron “play-off”-in për kualifikim në Botëror dhe njëkohësisht promovimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.

