Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka zbuluar se trajneri shqiptar Besnik Hasi ka qenë shumë pranë emërimit në krye të Kombëtares shqiptare.
Në një deklaratë të fundit, Duka konfirmoi se negociatat kishin avancuar deri në fazën përfundimtare, por marrëveshja nuk u realizua për shkak të një oferte të papritur nga klubi belg RSC Anderlecht.
“I kam ofruar realisht të paktën një herë postin e drejtuesit të Kombëtares një trajneri shqiptar, që ishte Besnik Hasi. Në momentet e fundit, kur ishim në prag të finalizimit të kontratës, ai u tërhoq pasi mori ofertë për të drejtuar Anderlechtin,” deklaroi Duka.
Kreu i FSHF-së shtoi se ideja për të pasur një trajner shqiptar në krye të Kombëtares mbetet ende në tavolinë dhe nuk përjashtohet si opsion për të ardhmen.
“Më pas, në të gjitha rastet padyshim që e kam menduar dhe padyshim përsëri e mendoj, por do të shohim,” përfundoi ai.
Kjo deklaratë rikthen në vëmendje diskutimin e vazhdueshëm për drejtimin e Kombëtares nga një trajner vendas, një temë që vazhdon të mbetet e hapur në opinionin sportiv shqiptar.

