Zvarritet ekstradimi i ish-kryeministrit Gruevski, opozita maqedonase akuzon qeverinë: Po vonohet qëllimisht! Partia më e madhe opozitare, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), akuzon ministrin e Drejtësisë, Igor Fillkov, se po zvarrit me qëllim dërgimin e dokumenteve për ekstradimin e Gruevskit nga Hungaria.
Procedura për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikola Gruevski nga Hungaria ka shkaktuar një përplasje të fortë politike në Maqedoninë e Veriut.

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), akuzon ministrin e Drejtësisë, Igor Fillkov, se po zvarrit me qëllim dërgimin e dokumenteve për ekstradimin e Gruevskit nga Hungaria.
Sipas LSDM-së, Gjykata Penale i ka përfunduar të gjitha procedurat dhe dokumentet tashmë ndodhen në Ministrinë e Drejtësisë, por nuk po dërgohen më tej, me arsyetimin se po pritet formimi i qeverisë së re hungareze më 9 maj.
Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar dokumente shtesë nga Gjykata Penale për të verifikuar nëse ato ndikojnë në procesin e ekstradimit.
Debati është rindezur edhe pas zhvillimeve në Hungari. Kryeministri i ri Peter Magyar, ka deklaruar se vendi i tij nuk do të jetë strehë për kriminelë ndërkombëtarë, duke përmendur me emër edhe Gruevskin.
Ndërkohë, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski ka theksuar se nëse Gruevski rikthehet në vend, ai do të shkojë direkt në burg për të vuajtur dënimin.

