Pas eliminimit të Atletiko Madridit nga Liga e Kampionëve, kryebashkiaku i Madridit, Hoze Luis Martinez-Almeida, ka sulmuar ashpër UEFA-n dhe arbitrat e ndeshjes, duke pretenduar se skuadra madrilene ishte dëmtuar me qëllim.
Almeida deklaroi se fillimisht kishte menduar se Atletiko do të përballej vetëm me Arsenalin, por sipas tij, në realitet skuadra spanjolle kishte përballë edhe UEFA-n.
“Kur pashë shortin mendova se do të luanim kundër Arsenalit, por gabova. Kishim përballë UEFA-n”, deklaroi ai.
Kryebashkiaku madrilen pretendoi se organizmi europian nuk e dëshironte Atletikon në finalen e Ligës së Kampionëve dhe se disa vendime gjatë ndeshjes kishin treguar qartë këtë qëllim.
“UEFA e bëri të qartë se nuk e donte Atletikon në finale. Kishte vendime që tregonin qartë dëshirën për ta dëmtuar skuadrën tonë”, shtoi Almeida.
Ai shkoi edhe më larg, duke akuzuar arbitrin si pjesë të një “skenari të paracaktuar” kundër klubit madrilen.
“Arsenalin mund ta mposhtje për 180 minuta, por UEFA-n jo. Gjithçka ishte me qëllim”, u shpreh ai.
Deklaratat e kryebashkiakut të Madridit kanë ndezur debat të madh në Spanjë dhe në opinionin sportiv europian, pasi akuzat e tij vënë drejtpërdrejt në shënjestër UEFA-n dhe integritetin e arbitrimit në Ligën e Kampionëve.

