Prokuroria e Milanos ka zgjeruar hetimet për një skandal të madh që lidhet me sistemin e arbitrimit në futbollin italian, mes dyshimeve për ndikime dhe favore në përzgjedhjen e arbitrave për ndeshje të rëndësishme të Serie A.
Në qendër të hetimeve është një takim i zhvilluar më 2 prill 2025 në stadiumin “San Siro”, ku sipas hetuesve dyshohet se është diskutuar për emërimin e arbitrave në favor të Interit.
Sipas raportimeve, në takim dyshohet të kenë marrë pjesë Xhorxho Shenone, zyrtar i klubit zikaltër përgjegjës për marrëdhëniet me arbitrat, si dhe ish-dizenjatori i arbitrave italianë, Xhanluka Roki.
Edhe pse Shenone aktualisht nuk është nën hetim, ai pritet të merret në pyetje nga prokurori Mauricio Açione, i cili po udhëheq hetimet për skandalin e dyshuar të arbitrave në Serie A.
Hetimet përfshijnë edhe emërimet e arbitrave Daniele Doveri dhe Andrea Kolombo për disa nga ndeshjet më të rëndësishme të Interit. Sipas dyshimeve paraprake, disa arbitra konsideroheshin si “të preferuar” nga klubi zikaltër.
Emri i Shenones ka dalë edhe në përgjimet telefonike mes Xhanluka Rokit dhe Andrea Gervasonit, mbikëqyrës i VAR-it, aktualisht i pezulluar dhe nën hetim.
Sipas hetuesve italianë, po analizohet nëse kontaktet dhe ndikimet e dyshuara mbi emërimet e arbitrave përbëjnë elemente të mashtrimit sportiv, çka mund të trondisë seriozisht futbollin italian.

