Ish-portieri legjendar i Turqisë, Rüştü Reçber, ka paralajmëruar për rrezikun që paraqet Kosova në prag të përballjes vendimtare mes dy kombëtareve.
Në një intervistë për “A Spor”, ish-ylli i Botërorit 2002 theksoi rëndësinë e një nisjeje të fortë në ndeshje, duke nënvizuar se momentet e para mund të jenë vendimtare.
“Në ndeshje të tilla, shënimi i një goli të hershëm pa pësuar mund të ndryshojë shumë gjëra. Nuk duhet ta nënvlerësojmë as ekipin e Kosovës,” u shpreh Reçber.
Ai vlerësoi lart cilësitë e “Dardanëve”, duke i cilësuar si një skuadër të fortë dhe me shpirt të madh gare.
“Është një skuadër e fortë, luftuese dhe e palodhur. Sot edhe ata do të luajnë kartën e fundit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës,” shtoi legjenda turke.
Deklarata e tij vjen në prag të finales së “play-off”-it për Kupa e Botës FIFA 2026, një ndeshje që pritet të jetë e fortë dhe vendimtare për të dyja përfaqësueset.

