Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” është hedhur shorti i çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, ku tetë skuadrat e kualifikuara kanë mësuar kundërshtarët e tyre për fazën vendimtare të kompeticionit.
Në garë mbeten Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia, Elbasani, Teuta, Bylisi dhe Egnatia, ndërsa shorti ka dhuruar përballje mjaft interesante.
Pa dyshim, vëmendja kryesore do të jetë te derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Dinamos, një duel që pritet të prodhojë emocione të forta. Po aq e fortë pritet të jetë edhe përballja mes Elbasanit dhe Partizanit, ndërsa çiftet e tjera të çerekfinaleve janë Teuta – Egnatia dhe Bylis – Vllaznia, me shkodranët që duket se kanë një short më të favorshëm në letër.
Çerekfinalet do të zhvillohen me sistemin vajtje–ardhje. Ndeshjet e para janë planifikuar për 11 shkurt, ndërsa takimet e kthimit do të luhen më 4 mars. Duelet e para do të zhvillohen në fushën e skuadrave të vendosura në vazon e dytë.

