Liga e Parë e Kosovës në futboll vazhdon sot me ndeshjet e javës së 32-të, ku në program janë plot tetë përballje që pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në garën për inkuadrim në Superligë dhe në luftën për mbijetesë.
Të gjitha ndeshjet nisin nga ora 16:00, ndërsa rivaliteti në krye të tabelës vazhdon të jetë shumë i fortë.
Dinamo kryeson renditjen me 68 pikë pas 31 ndeshjeve, vetëm dy më shumë se Vushtrria dhe tri më shumë se Feronikeli ’74. Në garë të fortë mbeten edhe Vëllaznimi me 64 pikë, Liria me 62 dhe Trepça ’89 me 61 pikë.
Në këtë xhiro, lideri Dinamo përballet me Trepçën ’89 në një nga ndeshjet më interesante të javës. Suhareka luan ndaj Rilindjes 1974, ndërsa Kika pret Lirinë. Vëllaznimi përballet me Vjosën, Ramiz Sadiku luan ndaj KEK-ut, ndërsa Besa e Pejës sfidon Tefik Çangën.
Prizreni do të ketë punë me Feronikelin ’74, teksa Istogu përballet me 2 Korrikun në një duel shumë të rëndësishëm për mbijetesë.
Në fund të tabelës, Besa ka 29 pikë në pozitën e 16-të, ndërsa KEK-u dhe Prizreni mbeten në zonën e rrezikut me 21, respektivisht 19 pikë.
Me kampionatin që po hyn në fazën vendimtare, çdo pikë mund të jetë vendimtare si për skuadrat që synojnë elitën, ashtu edhe për ato që luftojnë për mbijetesë.

