Rey Manaj ka përfunduar zyrtarisht aventurën e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke i dhënë fund bashkëpunimit me Al Sharjah vetëm pas gjashtë muajsh qëndrimi.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka konfirmuar largimin nga klubi arab, duke hequr dorë nga një kontratë shumë e majme prej 3.9 milionë eurosh, çka dëshmon qartë dëshirën e tij për t’u rikthyer në një ambient ku ndihet i vlerësuar dhe ku mund të ketë rol kyç në fushë.
Destinacioni i radhës për Manajn pritet të jetë Turqia, konkretisht Sivasspor, skuadër ku ai kishte lënë gjurmë të forta me paraqitjet dhe golat e tij në Superligën turke. Edhe pse në ditët e fundit të merkatos janë përfolur alternativa të tjera, gjithçka tregon se rikthimi te ish-klubi mbetet opsioni më i mundshëm.
Entuziazmi i tifozëve nuk ka munguar. Vetë Manaj ka shpërndarë në rrjetet sociale thirrjet e tifozëve të Sivassporit, të cilët po organizohen për të dalë nesër në aeroport për ta pritur sulmuesin shqiptar në momentin e mbërritjes nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Një pritje e tillë tregon qartë lidhjen e fortë mes Rey Manajt dhe tifozërisë së Sivassporit, ndërsa rikthimi i tij pritet të sjellë edhe një kapitull të ri të suksesshëm në karrierën e sulmuesit kuqezi.


