Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, ka dhuruar një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme në futbollin turk, duke qenë protagonist absolut në fitoren 4-1 të Sivasspor ndaj Sakaryaspor.
Manaj e nisi sfidën si titullar dhe la gjurmë që në minutat e para. Në minutën e 6-të, lushnjari dhuroi një asist perfekt për bashkëkombësin e tij, Valon Ethemi, i cili zhbllokoi rezultatin dhe i dha epërsinë skuadrës mike.
Dominimi i shqiptarëve nuk u ndal me kaq. Ethemi realizoi edhe golin e tij të dytë personal në minutën e 21-të, duke vulosur një pjesë të parë të shkëlqyer për Sivassporin.
Në fund, ishte radha e Manajt të “kopsiste” paraqitjen e tij brilante. Në minutën 90+2, ai realizoi një gol spektakolar për rezultatin përfundimtar 4-1, duke konfirmuar formën e tij të jashtëzakonshme dhe rolin kyç në repartin ofensiv.
Me një asist dhe një gol, Manaj ishte i përfshirë drejtpërdrejt në suksesin e skuadrës së tij, ndërsa së bashku me Ethemin kontribuan në tre nga katër golat e shënuar – një mbrëmje që “foli” shqip në Turqi.

