Ajo nuk u vra, as nuk kreu vetëvrasje. Nëse Marilyn Monroe vdiq në moshën 36-vjeçare në gusht të vitit 1962, shkak u bë një gabim mjekësor. Një shekull pas lindjes së saj, (në 1 qershor ajo do të mbushte 100 vjeç) një biografi e re hedh dritë mbi ditët e fundit të aktores që u bë legjendë dhe në veçanti mbi ilaçet e përshkruara për të në recetë nga Hyman Engerberg, mjeku i saj i besuar.

Imazhi i një biondeje seksi dhe të çmendur, në kontrast të fortë me pasionin për leximin dhe inteligjencën që e shtyu atë të themelonte kompaninë e saj të prodhimit dhe të kërkonte kontroll mbi sesionet e saj fotografike, Marilyn jeton ende në imagjinatën kolektive.
Vdekja e saj, në gusht të vitit 1962, mbetet një enigmë. A mund të kishte vendosur të vetëvritej? A u eliminua vërtet, siç pretenduan disa, për shkak të lidhjeve të saj me familjen Kennedy?

Sipas Andrew Wilson, gazetar, shkrimtar dhe autor i disa biografive të suksesshme, Monroe ishte viktimë e një gabimi mjekësor. Engerlberg, i cili ndërroi jetë në vitin 2005, gjithmonë mohoi t’i kishte dhënë në recetë “kloral hidrat” klientes së tij të famshme.

Një dokument i nxjerrë në ankand në vitin 2011 dhe i zbuluar nga Wilson gjatë kërkimeve për librin e tij, tregon qartë firmën e tij në një recetë. Kombinimi i ilaçit me “barbituratin Nembutal”, të përshkruar nga i njëjti mjek, besohet se ka shkaktuar vdekjen e saj.
Marilyn ishte në krizë. Ajo ishte pushuar nga puna në një film dhe vuante nga depresioni.
Natën që vdiq, Marilyn ishte mbyllur në dhomën e saj. Pastruesja e shtëpisë, Eunice Murray, telefonoi psikiatrin e aktores, Ralph Greenson, i cili hyri me forcë nga një dritare dhe e gjeti të pajetë në shtrat.

