Champions League hyn në fazën vendimtare, teksa të martën dhe të mërkurën zhvillohen ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve që do të përcaktojnë dy finalistët e këtij edicioni.
Fillimisht, në Londër, Arsenali pret Atletico Madridin në “Emirates Stadium”, në një përballje që mbetet plotësisht e hapur pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë në Spanjë. Skuadra angleze synon të përfitojë nga faktori fushë dhe të shkruajë histori duke siguruar një vend në finalen e madhe.
Një ditë më vonë, vëmendja zhvendoset në Mynih, ku Bayern Munich pret Paris Saint-Germain në “Allianz Arena”. Bavarezët janë përballë një sfide të vështirë, pasi në ndeshjen e parë pësuan humbje 5:4 në Francë, duke qenë të detyruar të kërkojnë një përmbysje për të mbajtur gjallë ëndrrën e finales.
Mbështetja e tifozëve pritet të jetë një faktor i rëndësishëm për Bayern, që do të tentojë të shfrytëzojë çdo mundësi për të përmbysur rezultatin dhe për të siguruar biletën për në finalen e këtij sezoni.
Të dyja ndeshjet do të luhen në orën 21:00, ndërsa fituesit do të sigurojnë kualifikimin në finalen e madhe që do të zhvillohet më 30 maj në Budapest.
Emocionet janë në kulm dhe çdo detaj mund të bëjë diferencën në këto përballje vendimtare të kompeticionit më prestigjioz evropian për klube.

