Futbollisti shqiptar Nazmi Gripshi ka marrë një vlerësim të rëndësishëm në Russian Premier League, pasi është përfshirë në formacionin më të mirë të javës pas paraqitjes së tij të fundit me Rubin Kazan.
Mesfushori realizoi golin e tij të parë me skuadrën ruse në ndeshjen ndaj FC Krasnodar. Në minutën e 24-të, Gripshi përfitoi nga një aksion i shpejtë, mori topin në gjysmën kundërshtare dhe, pasi depërtoi drejt zonës, u tregua i saktë përballë portierit për ta dërguar topin në rrjetë.
Performanca e tij nuk kaloi pa u vënë re. Përveç golit vendimtar, ai u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërsa paraqitja e tij u vlerësua me notën 8.4 nga platforma e statistikave SofaScore.

Falë këtij niveli të lartë loje, Gripshi siguroi një vend në formacionin ideal të javës në elitën e futbollit rus, duke konfirmuar formën e mirë që po kalon në aventurën e tij me Rubin Kazan.

