Real Madrid ka bërë të ditur largimin e Xabi Alonsos nga posti i trajnerit të ekipit të parë, me marrëveshje të ndërsjellë mes klubit dhe teknikës spanjoll.
Vendimi vjen pas humbjes në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës me rezultat 3-2, në një ndeshje të luftuar dhe spektakolare, ku “Los Blancos” u mposhtën në minutat vendimtare.
Në komunikatën zyrtare, klubi madrilen thekson se Xabi Alonso do të mbetet gjithmonë një figurë e dashur dhe e respektuar nga tifozët, duke e cilësuar atë si një legjendë të Real Madridit dhe një përfaqësues të denjë të vlerave të klubit.
“Real Madrid do të jetë gjithmonë shtëpia e tij”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Klubi falënderon Alonson dhe stafin e tij teknik për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë kësaj periudhe, duke u uruar atyre suksese në sfidat e ardhshme të karrierës.
Xabi Alonso kishte marrë drejtimin e Real Madridit pas një periudhe shumë të suksesshme te Bayer Leverkusen, ku kishte impresionuar me rezultatet dhe filozofinë e tij të lojës, duke u konsideruar si një nga trajnerët më premtues në futbollin europian.

