Sulmuesi brazilian Neymar ka pranuar se po mendon seriozisht për tërheqjen nga futbolli në fund të sezonit, duke theksuar se e ardhmja e tij do të varet nga ajo që “i thotë zemra”. 34-vjeçari, i cili aktualisht aktivizohet te klubi i tij i fëmijërisë Santos FC pas rikthimit nga Al Hilal vitin e kaluar, është nën kontratë deri në fund të vitit 2026, por nuk e përjashton mundësinë e pensionimit më herët.
“Mund të ndodhë që në dhjetor të dua të tërhiqem. Po jetoj vit pas viti. Nuk e di çfarë do të ndodhë nga tani, nuk e di për vitin e ardhshëm”, deklaroi ai për kanalin brazilian Caze.
Neymar shpreson të jetë pjesë e Brazilit në Kupën e Botës këtë verë, duke e cilësuar 2026-ën si një vit vendimtar si për kombëtaren e Brazilit ashtu edhe për veten e tij.
“Ky vit është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Santosin, por edhe për kombëtaren braziliane, pasi është vit Botërori, dhe për mua personalisht. Doja ta luaja këtë sezon 100 për qind”, u shpreh ai.

Pas një operacioni të vogël në gju në dhjetor, ish-ylli i FC Barcelona dhe Paris Saint-Germain u rikthye në fushë duke hyrë nga banka rezervë në fitoren 6-0 ndaj Velo Clube, ndeshje që e dërgoi Santosin në çerekfinale të Campeonato Paulista.
Me 79 gola në 128 paraqitje, Neymar mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit dhe ka marrë pjesë në tre Kupa Bote, por tani e ardhmja e tij mbetet e hapur, me vendimin final që pritet të merret në fund të këtij viti.

