Andi Hoti ka ndërruar klub, por jo kampionat. Mbrojtësi kosovar ka zyrtarizuar transferimin e tij nga Magdeburg te Eintracht Braunschweig, duke mbetur kështu pjesë e Bundesliga 2.
23-vjeçari, i cili mund të luajë si qendërmbrojtës ashtu edhe si mbrojtës krahu, synon më shumë hapësira dhe rol më të rëndësishëm te klubi i ri. Braunschweig e sheh Hotin si një përforcim të vlefshëm për prapavijën, falë fleksibilitetit dhe përvojës së tij në futbollin gjerman.
Hoti është formuar te të rinjtë e Zurich, për të kaluar më pas te Interi, ku me ekipet zinxhir u shpall kampion i Italisë. Karriera e tij ka vijuar më pas në Gjermani me skuadra si Freiburg, Dynamo Dresden dhe së fundmi Magdeburg.
Në planin ndërkombëtar, Hoti ka regjistruar 15 paraqitje me Kosovën U21, ndërsa ka zhvilluar edhe një ndeshje me kombëtaren A. Aktualisht, vlera e tij në Transfermarkt vlerësohet në rreth 600 mijë euro.
🔍 Transferimi te Braunschweig shënon një hap të rëndësishëm për mbrojtësin kosovar, i cili kërkon vazhdimësi dhe stabilitet në një kampionat shumë konkurrues si Bundesliga 2.

